8.7.08

Doktori “600 mijë dollare”, pranga kirurgut Kastriot Dautaj

Për nga shuma e parave që është në emër të familjes së tij, mund të klasifikohet si një nga më të pasurit në Shqipëri. Madje emri i tij do të renditej ndër tre të parët. Kjo pasi në llogarinë bankare me emrin e profesor Kastriot Dautajt llogariten 634.066 dollarë. Por jo vetëm kaq, doktori urolog që punonte deri dje në Qendrën Spitalore "Nënë Tereza" në Tiranë, tashmë ndodhet pas hekurave. Akuza që mban mbi supe mjeku i veshkave është ajo e korrupsionit dhe e pastrimit të produkteve të veprës penale.

Sipas një njoftimi për shtyp të Prokurorisë së Përgjithshme, mësohet se pas një hetimi disajavor të prokurorëve të Tiranës, dje është finalizuar më në fund edhe në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, arrestimi i doktorit të veshkave pasi merrte para për operacionet.
Hetimi
Drejtoria Kundër Krimit Financiar ka nisur menjëherë hetimin pas informacioneve të marra nga Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit të Parave. Ky institucion i cili verifikon pasuritë e të gjithë punonjësve të administratës ka hedhur dyshime për pasurinë e luajtshme të Kastriot Dautaj. Pas verifikimeve është mësuar se ky i fundit ushtronte profesionin e mjekut urolog në pavijonin e Urologjisë pranë QSUT-së në Tiranë. Sipas njoftimit të prokurorisë, mësohet se ai kishte një depozitë të konsiderueshme në cash në një nga bankat e nivelit të dytë, që kapte shifrën e 268.247 dollarë. Dautaj kishte deklaruar si burim të ardhurash ushtrimin e profesionit të tij si mjek dhe si pedagog pranë Fakultetit të Mjekësisë "M. Petrela", Tiranë. Po kështu, pas verifikimeve te një tjetër llogari rrjedhëse në të njëjtën bankë, i dyshuari Kastriot Dautaj së bashku me bashkëshorten e tij kanë një llogari rrjedhëse në një shumë tjetër të konsiderueshme, 365.819 USD. Nga verifikimet e kryera pranë organeve tatimore ka dalë se kirurgu nuk ka qenë i regjistruar për ushtrimin e ndonjë aktiviteti privat ligjor fitimprurës në territorin e Shqipërisë.
Provat
Pas provave të sjella nga prokuroria, Gjykata e Tiranës ka vendosur përgjimin e bisedave telefonike të të dyshuarit Kastriot Dautaj. Po kështu organi i akuzës ka autorizuar përgjimin e komunikimeve ambientale në vende publike, si dhe vëzhgimet dhe filmimet e fshehta policore. Nga të gjitha këto veprime hetimore, dje rreth orës 12:00 është bërë kapja në flagrancë e Kastriot Dautajt, duke marrë një shumë prej 50 mijë lekësh të rinj pas kryerjes së një operacioni. Pacientja e operuar ka qenë Luljeta Hoxha dhe pas përfundimit të operacionit, i ati i saj, Ibrahim Hoxha, i ka dhënë mjekut Dautaj shumën e parave. Në momentin e arrestimit mjekut Dautaj i është sekuestruar edhe shuma prej 50 mijë lekësh të rinj, të cilën sapo e kishte marrë. Sipas njoftimit për shtyp, mësohet se përveç rastit të kapjes në flagrancë, nga hetimi janë evidentuar dhe provuar edhe gjashtë raste të tjera ku mjeku Kastriot Dautaj ka pranuar dhe marrë shuma të ndryshme parash nga të afërm të pacienteve që ndiqeshin prej tij.

Fakte nga ngjarja

¨ Kastriot Dautaj punonte si mjek urolog në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë.
¨ Ai kishte në llogarinë bankare në një nga bankat të nivelit dytësor në kryeqytet, një shumë parash që kapte shifrën 600 mijë dollarë.
¨ Drejtoria Kundër Pastrimit të Parave ka raportuar në Policinë e Shtetit për verifikimi e pasurisë së mjekut kirurg.
¨ Nga hetimet edhe të prokurorisë rezultoi se urologu nuk e justifikonte shumën e mbledhur me pagat e familjes.
¨ Akuza kërkoi përgjimin e telefonit të tij si dhe përgjime ambientale.
¨ Dautaj u arrestua teksa po i merrte 50 mijë lekë të rinj prindit të pacientes së sapo operuar.

KODI PENAL /Neni 259
Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike
Kërkimi ose marrja drejtpërdrejtë ose tërthorazi i çdo lloj përfitimi të parregullt ose një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt nga personi që ushtron funksione publike, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga 2 - 8 vjet dhe me gjobë nga 500 000 - 3 000 000 lekë.

Më në fund dënohet një mjeke për vdekje
KORÇE - Gjykata e Korçës ka shpallur fajtore disa javë më parë, mjeken pediatre Zhaneta Babliku. Ajo u akuzua nga prindërit e një foshnjeje për mjekim të pakujdesshëm, e për këtë është dënuar me 150 mijë lekë gjobë. Pas një maratone seancash në gjykatë kanë qenë ekspertë të ndryshëm që janë thirrur për të dëshmuar për këtë rast. Mjekja Zhaneta Babliku, sipas organit të drejtësisë, ka rezultuar fajtore për vdekjen e foshnjës 1-vjeçare K.Ll, pasi nga ana e ekspertizave mjeko-ligjore mund të ndërhynte në kohë për të shpëtuar foshnjën.

1 Komente:

Anonymous said...

Kastriot Dautaj eshte nje nga mjeket me te mire qe ka jo vetem Shqiperia por Bota. Ai ka nje eksperience te gjate pune. Eshte fat i madh qe ky mjek punon ende ne Shqiperi dhe i sherben me devotshmeri ketij vendi. Me kete rast i uroj atij Jete te gjate dhe suksese ne misionin e tij fisnik te shpetimit te jeteve njerezore. Nderime

Template by - ai