8.7.08

Oto Bariç: Shqipëria është vend ëndrrash

Në një intervistë të dhënë për mediat kroate, Bariç ka thënë gjithashtu se trajnerët kroatë që kanë punuar gjatë viteve të fundit në Shqipëri kanë dhënë një kontribut të konsiderueshëm në zhvillimin dhe përmirësimin e këtij sporti në vendin tonë. Shqipëria, sipas Bariçit, është vendi i ëndrrave. “Trajnerët nga Kroacia kanë ndihmuar në përmirësimin e futbollit në Shqipëri dhe për këtë arsye vlerësohemi shumë në këtë vend. Në Shqipëri ka shumë futbollistë të talentuar dhe për këtë arsye, klubet elitare aty kërkojnë trajnerë të huaj për të drejtuar skuadrat e tyre, - ka deklaruar Bariç për ‘24sata.hr’. - Klubet në Shqipëri ofrojnë një rrogë vjetore deri në 150 mijë euro për trajnerët e tyre, duke mundësuar kushte fenomenale, jo vetëm financiarisht, por edhe në aspekte të tjera. Nga eksperienca ime mund të them se një trajner i huaj atje ka liri veprimi të plotë dhe kjo nuk është pak. Për këtë arsye atje trajnerët kroatë janë në modë. Unë mendoj se Shqipëria është një mundësi shumë e mirë për ta”. Bariç është larguar nga posti i trajnerit të Kombëtares shqiptare në fund të vitit 2007. Kroati përfitoi 300 mijë euro për një edicion kualifikues të Kombëtares së Shqipërisë. Ai i ka bërë komentet në kohën kur trajneri i skuadrës së Rijekës, Zlatko Daliç, ishte kandidat për t’u bërë trajner i skuadrës kampione të Shqipërisë, Dinamos. Ky i fundit ka konfirmuar kontaktet me blutë, që ndërkohë kanë sjellë një trajner argjentinas. “Do të kisha shkuar atje nëse nuk do të kisha pasur disa motive shumë të forta familjare. Si të mos shkoj atje kur më ofruan trefish më shumë se sa paga që merrja te Rijeka. Situata financiare në Shqipëri është dukshëm më e mirë se këtu. Në rrethana të tjera do të kisha shkuar atje, sepse edhe presidenti i skuadrës ka qenë në Kroaci për të biseduar me mua”, ka thënë Daliç. Në të kaluarën, klubi i Dinamos është drejtuar nga dy kroatë të tjerë: Luka Bonaçiç dhe Ivan Kataliniç. Edhe Flamurtari drejtohet aktualisht nga kroati Slavko Kovaçiç, ndihmësi i Oto Bariçit gjatë kohës që ky i fundit drejtonte përfaqësuesen shqiptare. Skuadra rivale e Dinamos, Tirana, pak ditë më parë ka emëruar në krye të pankinës së saj ish-trajnerin e përfaqësueses së Bosnjë-Hercegovinës, Blazh Slishkoviçin.

0 Komente:

Template by - ai