12.7.08

Për 100-vjetorin e Eqrem Çabejit, kumtesat që sollën vlerat e gjeniut të gjuhës shqipe

Viti 2008 cilësohet si "Viti Çabej". Për ta konfirmuar këtë, Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë me rastin e 100-vjetorit të lindjes së akademikut Eqrem Çabej, organizoi dje një konferencë shkencore-gjuhësore. Kolegë dhe studiues të gjuhës shqipe u mblodhën për të kujtuar dhe njëherë veprat dhe vlerat e këtij njeriu të madh për kombin shqiptar.

Eqrem Çabej do të kujtohet nga të gjithë si albanologu ynë më i madh kombëtar, jo vetëm si hartues i gjurmëve të traditës kombëtare shqiptare, por edhe hartues autentik i këtyre gjurmëve. Ai ka dhënë kaq shumë kontribute për gjuhën shqipe, për pasurimin e saj dhe kombin shqiptar, sa të gjithë ne mund t'i referohemi për ta zhvilluar atë më tej. Vepra e Çabejit padyshim që ka lënë gjurmët e veta në historinë e kombit shqiptar, madje roli i tij diskutohet jo vetëm për kohën kur ishte në jetë, por edhe për atë që la pas me veprën e tij. Studiuesja Ledi Shamku në kumtesën e saj tha se gjatë kohës që Çabej ishte gjallë, mund të themi padyshim që ishte lidhja jonë e vetme me Perëndimin. Për sa kohë që Eqrem Çabej ka qenë gjallë është cituar në kumtesa, në vepra të rëndësishme dhe në atlase të ndryshme, ndërsa sot ai njihet nga të gjithë si albanologu më i madh shqiptar.
Fjalën hyrëse në këtë konferencë shkencore e paraqiti Aljula Jubani (Përgjegjëse e Departamentit të Gjuhësisë), e cila përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit dhe gjuhëtarët që prezantuan punimet e tyre për gjuhëtarin e madh, Eqrem Çabej. Kjo figurë poliglote në jetën tonë kulturore, arsimore dhe shkencore shfaqet përtej një gjuhëtari të madh, pasi në veprën e tij rizbulohej vetëdija jonë kombëtare e ndërtuar në tri paradigma: Gjuha, nacioni, kultura dhe madje një mit mbi të cilin rindërtohej krenaria kombëtare e të qenit popull i lashtë dhe popull modern njëkohësisht.
Në fjalën e tij përshëndetëse rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në këtë konferencë shkencore përkujtimore kushtuar mjeshtrit të madh të shqipes, Eqrem Çabej. Ardian Marashi, drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike, në përshëndetjen e tij për këtë figurë të ndritur të shqipes u shpreh se, "ndërdisipliniteti është mënyra më e veçantë se si ai i qaset gjuhës shqipe. Kjo shtron çështje të tilla se si ta përvetësojmë punën ndërdisiplinore për të pasur frymën e Çabejit dhe hapjen e perspektivës në Qendrën Albanologjike për angazhimin e punimeve të përbashkëta të disiplinave të ndryshme". Shezai Rrokaj në kumtesën e lexuar para të pranishmëve, "Parime metodologjike shkencore të zbatuara në veprën e Eqrem Çabejit", ndër të tjera theksoi se, "Çabej është një monument kulture në panteonin e saj, që gjithkush do ia kishte zili. Ai studioi marrëdhëniet e shqipes me gjuhët e tjera dhe në fushën e indoevropianistikës".
Ajo çka u theksua thuajse në të gjitha kumtesat, ishte fakti se Çabej ka hedhur hapat e para dhe të forta në shumë disiplina studimore të shqipes dhe i vlen të theksohet puna ndërdisiplinore. Kjo shërben si bazë për studime të mëtejshme etimologjike në fushën e gjuhës shqipe. "Çabej është i pari i cili ka bërë një punë kolosale me "Mesharin" e Gjon Buzukut. Botimin shkencor të "Mesharit" ai e shoqëroi me studimin e gjuhës së Buzukut. Çabej ka qenë dhe mbetet një figurë poliglote e gjuhës dhe kulturës shqiptare, prandaj përgëzoj të gjithë nismëtarët e këtij organizimi", u shpreh Prof.Shaban Demiraj në kumtesën e tij, "Roli i Çabejit në zhvillimin e albanologjisë". Eqrem Çabej dhe kultura shqiptare kanë mbetur një çift i pandarë.
Kontributi i Çabejit në dimensionin kulturor është shumë i rëndësishëm, njihet si eksperti në fushën e gjuhësisë, etimologjisë, letërsisë, etj. Çabej ishte jo vetëm hartues i gjurmëve të traditës kombëtare shqiptare, por edhe hartues autentik i këtyre gjurmëve. Kumtesa në këtë sesion shkencor lexuan edhe Ethem Likaj, Kolec Topalli, Seit Mansaku, Rami Memushaj, Gjovalin Shkurtaj, Ledi Shamku e gjuhëtarë të tjerë.

Pasaporta

• Eqrem Çabej lindi më 6 gusht të vitit 1908 në Gjirokastër dhe është një nga figurat më të shquara të shkencës, arsimit dhe kulturës shqiptare.
• Eqrem Çabej shkollimin fillor e kreu në vitin 1921, në Gjirokastër.
• Studimet e larta i ka mbaruar për Filologji në Klagenfurt (1923-1926), Grac (1927) dhe Vjenë të Austrisë (1930), dhe u specializua në Gjuhësinë Krahasuese Indoevropiane.
• Veprimtarinë shkencore e shtjelloi në gjuhësi, por edhe jashtë saj, në folklor, etnografi dhe histori të letërsisë.
• Vend zënë studimet etimologjike dhe leksikologjike historike, dialektologjia e onomastikës, si edhe kodifikimi i gjuhës letrare.
• Ka dhënë një ndihmë të çmuar me një varg sqarimesh etimologjike gjatë hartimit të Fjalorit të Gjuhës Shqipe, të botuar në Tiranë më 1980.
• Është dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, më 10 maj 2003 me Urdhrin "Nderi i Kombit".

Tituj të veprave kryesore janë:
Ö "Hyrje në Indoevropianistikë"
Ö "Studime etimologjike në fushën e shqipes"
Ö "Hyrja në historinë e gjuhës shqipe"
Ö "Fonetika historike e shqipes"
Ö "Shqipja në Kapërcyell"
Ö "Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes"
Ö Fjalor i Gjuhës Shqipe, (Bashkautorësi)

Mirënjohjet:
• Ka marrë Urdhrin "Nderi i Kombit"
Shqipëri 2003.
• Medaljen e Artë e Lidhjes së Prizrenit, Kosovë
• Çabej dëgjoi ligjërata dhe mori leksione nga albanologë të shquar, si: Paul Kretschmer (1866-1956), Norbert Jokli (1877-1942), historiani aq i përmendur, Karl Patsch (1865-1945), etj.
• Çabej është etnolog, historian, gjeograf, etimolog, është hartues tekstesh për shkollat, është mësues, planifikues gjuhësor.
• Studimet, artikujt shkencorë dhe kumtesat e tij janë botuar në mjaft vende të Evropës: Austri, Francë, Greqi, Gjermani, Itali, Rumani, Poloni, ish-Jugosllavi, Turqi etj.
• Është i pari dijetar shqiptar që trajtoi në nivelin e shkencës bashkëkohore probleme të rëndësishme të albanologjisë, të cilat më parë kishin qenë fushë pune vetëm e albanologëve të huaj. Mendimi i tij edhe sot është autoriteti shkencor më i lartë në albanologji.
• 25 vjet më parë, më 13 gusht 1980, Eqrem Çabej u nda nga jeta në një spital të Romës.

Shaban Demiraj
Në kumtesën e tij, "Roli i Çabejit në zhvillimin e albanologjisë", Prof.Shaban Demiraj u shpreh se, "Çabej është i pari i cili ka bërë një punë kolosale me "Mesharin" e Gjon Buzukut. Çabej ka qenë dhe mbetet një figurë poliglote e gjuhës dhe kulturës shqiptare, prandaj përgëzoj të gjithë nismëtarët e këtij organizimi".

Shezai Rrokaj
Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë drejtoi seancën e paradites në konferencën shkencore kushtuar Eqrem Çabejit. Në kumtesën e tij, "Parime metodologjike shkencore të zbatuara në veprën e Eqrem Çabejit", ndër të tjera theksoi se, "Çabej është një monument kulture në panteonin e saj, që gjithkush do ia kishte zili. Ai studioi marrëdhëniet e shqipes me gjuhët e tjera dhe në fushën e indoevropianistikës".

Kolec Topalli
Gjuhëtari Kolec Topalli në kumtesën "Për gjenezën e nyjave të prapme të gjinisë mashkullore" që lexoi para të pranishmëve risolli kontributin që ka dhënë Eqrem Çabej në historinë e gjuhës shqipe, duke theksuar hapat e këtij gjuhëtari në disiplina të ndryshme të gjuhës shqipe.

Dhori Kule
Në fjalën e tij përshëndetëse rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në këtë konferencë shkencore përkujtimore kushtuar mjeshtrit të madh të shqipes, Eqrem Çabej.

Ledi Shamku
Studiuesja Ledi Shamku në kumtesën e saj, "Çabej dhe shqipja në familjen e gjuhëve", tha se gjatë kohës që Çabej ishte gjallë, mund të themi padyshim që ishte lidhja jonë e vetme me Perëndimin. Eqrem Çabej është cituar në kumtesa, në vepra të rëndësishme dhe në atlase të ndryshme, dhe sot ai njihet nga të gjithë si albanologu më i madh shqiptar.

http://kaltersiashqiptare.com/forum.php

0 Komente:

Template by - ai